Fillimisht u arrestuan dy grabitës, një kosovar 58-vjeçar dhe një shqiptar 55-vjeçar, ndërsa së fundmi policia ka arrestuar edhe bashkëpunëtorin e tyre, një kosovar 49-vjeçar.
Ngjarja ndodhi në shtëpinë e një çifti të moshuarish. Tre grabitës të maskuar hynë me forcë në banesë. Gruaja, e cila ishte vetëm në shtëpi, u kërcënua me pistoletë dhe u detyrua të dorëzonte paratë. Sipas njoftimit të policisë, grabitësit kishin kërkuar “të gjitha paratë”.
Fatmirësisht, një kthesë e papritur ndodhi kur një shofer shpërndarjeje ndaloi pranë shtëpisë rreth orës 7 të mëngjesit. Kjo i detyroi hajdutët të arratiseshin me shpejtësi. Shoferi telefonoi menjëherë numrin e emergjencës dhe policia nisi një kërkim në shkallë të gjerë, duke përdorur edhe qen dhe një helikopter.
Gjatë ndjekjes, dy prej grabitësve u ndeshën me një patrullë policie. Njëri prej tyre qëlloi në drejtim të oficerëve, të cilët iu kundërpërgjigjën me zjarr. Për fat të mirë, askush nuk mbeti i lënduar. Pas shkëmbimit të zjarrit, policia arriti të arrestojë 58-vjeçarin kosovar dhe 55-vjeçarin shqiptar. Një pistoletë u konfiskua në vendngjarje.
Ndërsa 58-vjeçari ka pranuar krimin, bashkëpunëtori i tij shqiptar refuzoi të dëshmonte. Kërkimi për grabitësin e tretë vazhdoi derisa policia e gjeti dhe arrestoi edhe atë, 49-vjeçarin kosovar, në Aschbach-Markt. Edhe ai refuzoi të dëshmonte. Të tre të dyshuarit, të cilët thuhet se nuk kanë leje qëndrimi të rregullt në Austri, janë dërguar në Qendrën Korrektuese të St. Pölten.
Hetimet për këtë rast po vazhdojnë nga Zyra e Policisë Kriminale e Austrisë së Poshtme.






