Një debat banal për parkimin e skuterëve elektrikë u shndërrua në një skenë dhune, ku një baba nga Kosova dhe djali i tij sulmuan fizikisht disa adoleshentë. Ngjarja, e cila ka marrë vëmendje të madhe, ka lënë një 17-vjeçar pa ndjenja dhe ka bërë që policia të arrestojë dy shkaktarët e konfliktit.
Të premten, pak para orës 21:00, Policia e Shtetit të Styrisë mori disa telefonata që raportonin për një sulm në Minoritenplatz në Bruck. Shkaku i konfliktit ishte një grindje verbale që nisi pasi disa adoleshentë kishin parkuar skuterat e tyre elektrikë në trotuar. Kjo situatë irritoi një 61-vjeçar nga Kosova, i cili e përshkallëzoi shpejt debatin.
Në kulmin e debatit, i moshuari nxori një thikë me palosje dhe kërcënoi disa persona. Ai therri njërin prej tyre, megjithatë fatmirësisht nuk shkaktoi lëndime serioze. Policia mbërriti menjëherë në vendngjarje dhe e arrestoi burrin, i cili, siç u zbulua, kishte një ndalim zyrtar për mbajtje armësh.
Gjatë arrestimit, në vendin e ngjarjes mbërriti edhe djali 19-vjeçar i kosovarit. Ai papritur sulmoi një 17-vjeçar, dëshmitar i ngjarjes, duke e goditur me grusht në kokë. Adoleshenti u rrëzua dhe humbi vetëdijen për pak kohë. Ai u dërgua menjëherë në spitalin rajonal të Leobenit për trajtim mjekësor. Pas këtij sulmi, policia arrestoi edhe djalin 19-vjeçar.







