Vetëm në dy javët e para pas ndryshimit të orës, policia regjistroi 70 raste të tentativave ose vjedhjeve të kryera në banesa. Ndërhyrjet e shpejta dhe patrullimet e shtuara çuan në zbardhjen e një sërë rastesh dhe në identifikimin e autorëve.
Arrestimi i dy kosovarëve zbardh më shumë se 12 vjedhje
Më 12 nëntor, një 42-vjeçar kosovar u arrestua në Steyr, në një zonë banimi, pas një urdhri arresti që ishte lëshuar prej një viti. Ai dyshohej për disa vjedhje me thyerje dhe tashmë policia e lidh atë dhe bashkëpunëtorin e tij 49-vjeçar, i cili është ende në arrati, me të paktën 12 raste të tilla. I arrestuari i ka pranuar akuzat, duke ndihmuar hetimin.
Fatura Planet Prishtinë, Kosovë
Në një rast tjetër, një 38-vjeçar nga Kosova u arrestua në Wels. Ai më herët ishte liruar me kusht që të largohej nga Austria, por nuk e kishte respektuar vendimin. Policia dyshon se ai mund të ketë kryer edhe vepra të tjera penale, megjithatë deri tani asgjë nuk është konfirmuar zyrtarisht.
Krimet bien menjëherë pas arrestimeve
Autoritetet austriake kanë bërë të ditur se që nga arrestimi i personave kryesorë, numri i vjedhjeve me thyerje ka rënë ndjeshëm – nga 70 raste në vetëm 34. Policia thotë se patrullimet e synuara dhe kapja e autorëve kryesorë ka pasur efekt të menjëhershëm.
Ndërkohë, policia apelon për vigjilencë të shtuar nga qytetarët gjatë muajve të dimrit, duke theksuar se bashkëpunimi me organet e rendit është thelbësor për të parandaluar raste të ngjashme.







