Menu

Gjermani, arrestohet 34 vjeçari nga Kosova, po kërkohej për falsifikim të parave

para 39 dite

Një shtetas kosovar është arrestuar dhe dërguar në paraburgim në Gjermani pasi dyshohet se ka qarkulluar para të falsifikuara në vlerë prej 50 euro, duke shkaktuar dëme financiare për disa qytetarë në Bavarinë e Epërme.

Gjermani, arrestohet 34 vjeçari nga Kosova, po kërkohej për falsifikim të parave

Ngjarja ka ndodhur të hënën, më 20 tetor, në autostradën B2 pranë Mittenwald-it. Policia Federale gjermane gjatë një kontrolli rutinë të pasagjerëve të një autobusi me targa italiane, ka identifikuar një 34-vjeçar kosovar i cili kërkohej nga drejtësia gjermane me urdhër të posaçëm arresti.

Gjatë kontrollit kufitar, autoritetet konstatuan se pasagjeri kosovar ishte i shpallur në kërkim nga Gjykata e Qarkut të Mynihut. Dyshohet se verën e kaluar ai ka përdorur kartëmonedha të falsifikuara prej 50 euro në disa transaksione në Bavari, duke u larguar menjëherë nga Gjermania pas kryerjes së veprës.

Gjykata kishte vlerësuar se ekzistonte rrezik i lartë arratisjeje, pasi i dyshuari nuk ka adresë të qëndrueshme dhe nuk është i regjistruar në Gjermani.

Policia Federale në Garmisch-Partenkirchen ka ndërhyrë menjëherë, duke ndaluar të dyshuarin dhe duke i ndërprerë udhëtimin me autobus nga Italia në Gjermani. Pas arrestimit, ai është shoqëruar në stacionin policor dhe më pas është dërguar para gjykatës kompetente në Mynih.

Me vendim të gjykatës, shtetasi kosovar është dërguar në paraburgim në Qendrën Korrektuese “Mynih-Stadelheim”, një nga burgjet më të mëdha të sigurisë së lartë në Gjermani.

Autoritetet gjermane po vazhdojnë hetimet për të zbuluar nëse i dyshuari ka qenë pjesë e një rrjeti më të gjerë të falsifikimit të valutës, apo ka vepruar individualisht. Kartëmonedhat prej 50 euro janë ndër më të falsifikuarat në tregun evropian, për shkak të qarkullimit të lartë dhe vështirësisë për t’u verifikuar në transaksione të shpejta.

Duhet të jeni të kyçur për të komentuar.
Duhet të jeni të kyçur për të ruajtur