Menu

Gjermani, ndalohen autobus nga Kosova, Serbia dhe Moldavia – zbulohen 520 kg mish, salçiçe, proshutë, djathë dhe produkte të tjera shtazore

para 45 dite

Dogana gjermane ka zhvilluar një aksion kontrolli në autostradën A3, ku janë ndaluar tre autobusë që vinin nga Moldavia, Serbia dhe Kosova.

Gjermani, ndalohen autobus nga Kosova, Serbia dhe Moldavia – zbulohen 520 kg mish, salçiçe, proshutë, djathë dhe produkte të tjera shtazore

Gjatë inspektimeve janë zbuluar një sërë shkeljesh serioze që çuan në ndalimin e automjeteve nga qarkullimi dhe nisjen e procedurave penale.

Sipas Zyrës Kryesore Doganore të Giessenit, kontrollet janë kryer në bashkëpunim me policinë dhe autoritetet veterinare, me qëllim mbrojtjen e konsumatorëve dhe garantimin e sigurisë rrugore. Në të tre autobusët, përfshirë edhe atë që vinte nga Kosova, janë evidentuar shkelje të rënda si evazioni fiskal, import i produkteve shtazore pa leje dhe mangësi teknike që përbëjnë rrezik për pasagjerët dhe trafikun.

Gjatë kontrollit janë sekuestruar 520 kilogramë produkte shtazore, si mish i freskët, salçiçe, proshutë dhe djathë, të cilat janë të ndaluara për t’u futur në Gjermani pa dokumentacion veterinar. Produktet janë konfiskuar nga autoritetet për shkak të rrezikut që paraqesin për shëndetin publik, ndërsa mostrat janë dërguar për analiza laboratorike.

Dogana gjermane ka nisur tre procedime penale për shmangie nga tatimet dhe ka konfiskuar mallra të padeklaruara. Po ashtu janë mbledhur rreth 1,000 euro si garanci fillestare dhe kompanive të autobusëve u është kërkuar një depozitë prej 13,250 eurosh për shkeljet e konstatuara. Autobusëve iu është ndaluar vazhdimi i udhëtimit deri në plotësimin e kushteve ligjore.

Zyrtarët gjermanë deklaruan se ky operacion tregon rëndësinë e kontrollit të rreptë ndaj mjeteve që hyjnë nga vendet jashtë Bashkimit Evropian dhe nevojën për respektim të ligjeve të BE-së. Ky rast pritet të ngrejë shqetësim edhe tek institucionet kosovare, pasi çdo shkelje e tillë dëmton imazhin e vendit dhe mund të ndikojë në rritjen e kontrolleve për udhëtarët kosovarë që udhëtojnë drejt shteteve të BE-së.

Duhet të jeni të kyçur për të komentuar.
Duhet të jeni të kyçur për të ruajtur