Sipas dokumentit të siguruar nga gazeta gjermane SPIEGEL, kufiri i vlerësimit të kontributeve për sigurimin shtetëror të pensioneve do të rritet në 8,450 euro në muaj në vitin 2026, krahasuar me 8,050 euro që është aktualisht.
Kjo masë do të thotë se personat me të ardhura të larta do të paguajnë kontribute për një pjesë më të madhe të pagës së tyre. Përfituesit, nga ana tjetër, do të marrin pensione përkatësisht më të larta në të ardhmen. Tavani i vlerësimit të kontributeve është rritur gradualisht vitet e fundit.
Drafti i ministres Bas propozon ndryshime edhe për sigurimin shëndetësor dhe të kujdesit afatgjatë. Kufiri i vlerësimit të kontributeve për këto shërbime, aktualisht 5,512.50 euro, do të rritet në 5,812.50 euro vitin e ardhshëm.
Gjithashtu, pritet të rritet edhe limiti i sigurimit të detyrueshëm, i cili përcakton kush mund të zgjedhë sigurim shëndetësor privat. Ky limit, aktualisht 6,150 euro, do të bëhet 6,450 euro në vitin 2026.
Këto ndryshime reflektojnë rritjen e pagave bruto dhe rrogave në Gjermani, të cilat u rritën me 5.16% në vitin 2024, sipas të dhënave nga drafti.
Këto reforma vijnë në një kohë kur qëndrueshmëria financiare e shtetit social gjerman është bërë temë debati. Kancelari Friedrich Merz ka shprehur vazhdimisht shqetësimet e tij se sistemi aktual i mirëqenies nuk është i qëndrueshëm financiarisht, veçanërisht sa i përket pensioneve, shëndetësisë dhe kujdesit afatgjatë.
Nga ana tjetër, Ministrja Bas e ka kundërshtuar ashpër këtë qëndrim, duke e quajtur “budallallëk” idenë se Gjermania nuk mund t’i përballojë më sistemet e saj të sigurimeve shoqërore. Ky projektligj shihet si një lëvizje për të forcuar financiarisht këto sisteme.






