Sot KEDSNdërprerje Kufiri LIVE

Belgjika planifikon vinjetë për veturat nga viti 2027

11.07.2026

Belgjika po përgatitet të vendosë një vinjetë digjitale për përdorimin e rrugëve nga veturat dhe automjetet e tjera me peshë deri në 3.5 tonë.

Belgjika planifikon vinjetë për veturat nga viti 2027

Tri rajonet e vendit, Flandra, Valonia dhe Brukseli, janë pajtuar që sistemi i ri të nisë më 1 janar 2027. Pagesa do të vlejë si për automjetet e regjistruara në Belgjikë, ashtu edhe për ato me targa të huaja.

Aktualisht, veturat deri në 3.5 tonë mund ta përdorin rrjetin rrugor belg pa vinjetë. Me ndryshimin e planifikuar, shoferët do të duhet ta regjistrojnë targën e automjetit dhe ta blejnë vinjetën për periudhën gjatë së cilës do t’i përdorin rrugët e vendit.

Autoritetet belge e arsyetojnë masën me kostot e mirëmbajtjes së infrastrukturës. Sipas tyre, të gjithë ata që i përdorin rrugët, përfshirë shoferët e huaj dhe ata që kalojnë transit, duhet të kontribuojnë në financimin e tyre.

Çmimi i vinjetës do të varet nga lloji i automjetit dhe niveli i emetimeve. Për veturat elektrike parashihet një tarifë vjetore prej rreth 90 eurosh, ndërsa për automjetet më të vjetra me motorë me djegie të brendshme çmimi mund të arrijë deri në 125 euro në vit.

Për personat që qëndrojnë në Belgjikë vetëm për një periudhë të shkurtër, do të ofrohen edhe vinjeta me vlefshmëri prej 24 orësh, dhjetë ditësh, një muaji ose dy muajsh. Çmimet për këto variante ende nuk janë bërë të ditura.

Vinjeta do të blihet përmes një platforme elektronike ose në pikat e karburantit. Ajo do të lidhet drejtpërdrejt me targën e automjetit, prandaj nuk do të jetë e nevojshme vendosja e një ngjitëseje fizike në xham.

Kontrollet pritet të kryhen përmes kamerave që lexojnë targat dhe verifikojnë nëse për automjetin është paguar vinjeta. Shoferët që kapen duke i përdorur rrugët pa pagesën përkatëse mund të gjobiten me 70 euro.

Motoçikletat dhe autobusët parashihet të përjashtohen nga sistemi i ri.

Megjithatë, plani ende nuk është përfundimtar. Para se të zbatohet, ai duhet të miratohet nga autoritetet përkatëse rajonale dhe evropiane. /Urgjent.com/

Përgatiti: Ardit Berisha

Mendimi juaj ka rëndësi

Si e vlerësoni këtë artikull?

0 reagime

Duhet të jeni të kyçur për të ruajtur
URGJENT.COM

Përmbajtje e mbrojtur

Respektoni punën e redaksisë. Ripublikimi ose përdorimi i përmbajtjeve të mbrojtura kërkon autorizim, përveç rasteve të lejuara nga ligji.

Për ta ndarë lajmin me të tjerët, përdorni lidhjen e artikullit.