Sipas raportimit të mediave lokale, incidenti ka shpërthyer pranë një lokali që frekuentohet edhe nga pjesëtarë të komunitetit kosovar, ndërsa gjatë përleshjes janë përdorur grushte, shqelma, karrige dhe shishe. Disa persona kanë pësuar lëndime të lehta, përfshirë plagë në kokë dhe gërvishtje, por nuk është raportuar për persona që kanë pasur nevojë për shtrim në spital.
Sipas të dhënave të publikuara, përleshja ka nisur derisa një grup të rriturish ishte mbledhur në park për të luajtur futboll. Për arsye që ende nuk janë sqaruar plotësisht, situata është përshkallëzuar dhe të pranishmit janë ndarë në dy grupe që janë përleshur mes vete. Në park në atë kohë ndodheshin edhe fëmijë dhe familje, të cilët kanë qenë dëshmitarë të skenës.
Në vendngjarje kanë mbërritur katër patrulla të Karabinierëve nga Rovato, Chiari dhe Trenzano. Gjatë ndërhyrjes janë identifikuar disa prej pjesëmarrësve, ndërsa sipas raportimit, disa të afërm kanë mbërritur më pas dhe janë përpjekur të ndërhyjnë. Për ta vënë situatën nën kontroll, Karabinierët kanë përdorur edhe sprej me piper, ndërsa ambulancat kanë kontrolluar gjendjen e personave të pranishëm.
Tre vëllezër janë arrestuar pas incidentit. Dy prej tyre, 46 dhe 44 vjeç, dyshohen për pjesëmarrje në përleshje dhe rezistencë ndaj zyrtarëve publikë, ndërsa vëllai i tretë, 49 vjeç, është arrestuar nën dyshimin për rezistencë ndaj një zyrtari publik. Sipas hetimeve, ai dyshohet se kishte ndërhyrë për t’i ndihmuar dy vëllezërit e tij kur Karabinierët kishin mbërritur në vendngjarje.
Hetuesit kanë identifikuar edhe një vëlla të katërt, 42-vjeçar, i cili dyshohet se ishte goditur në kokë me një shishe gjatë përleshjes. Ai më vonë është paraqitur vetë në stacionin policor pasi kishte mësuar se kërkohej nga Karabinierët dhe ndaj tij është ngritur kallëzim. Hetimet po vazhdojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë dhe për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes. /Urgjent.com/
Përgatiti: Nazlie Jakupi
Mendimi juaj ka rëndësi
Si e vlerësoni këtë artikull?