Mbi 30,000 qytetarë nga Kosova thuhet se kanë braktisur vendin vetëm që nga fillimi i vitit 2025. Një pjesë e madhe e tyre kanë marrë rrugën drejt Zvicrës, të shtyrë nga varfëria, mungesa e perspektivës dhe shpresa për një jetë më të mirë. Por rruga drejt ëndrrës evropiane shpesh përfundon në hije të frikës, në punë të padeklaruara dhe në përballje me ligjin.
Flamur K.*, 22 vjeç, ka hyrë ilegalisht në Zvicër disa herë në tre vitet e fundit. Ai jeton me të afërm në Payerne dhe punon në të zezë në ndërtim. “Në këtë mënyrë, mbaj familjen time në Kosovë. Jetojnë në varfëri të madhe”, rrëfen ai për gazetën “20 Minutes”. Ai la studimet për drejtësi për t’u përballur me realitetin brutal të punës së paligjshme. “Kam gjithmonë frikë nga kontrollet. Nëse më kapin, përballem me burg, gjobë dhe dëbim”, thotë i riu që shpesh ditët i kalon në vetmi, duke luajtur PlayStation për të shmangur kontaktet sociale.
Ai tregon se asnjë sigurim nuk e mbulon nëse nuk i paguhen pagat: “Një shokut tim nuk i dhanë rrogën për tre muaj, dhe shefi ishte po kosovar”. Në mungesë të drejtësisë formale, çështjet zgjidhen shpesh “privatisht”.
Faton S.*, 29 vjeç, është një tjetër kosovar që ka emigruar këtë verë drejt Gjenevës. Jeton tek të afërmit, të cilët, sipas tij, e shohin si barrë. “Nuk kam profesion. Nuk pashë të ardhme në Kosovë, prandaj ika.” Pasi dështoi të gjejë punë, ka filluar të lypë. “Më kanë thënë të martohem me ndonjë zvicerane budallaqe, edhe po të jetë e shëmtuar, vetëm për dokumente. Por unë nuk e bëj këtë”, shprehet ai me vendosmëri.
Ndonëse pa punë e pa të ardhura, Faton shpreson se një ditë do të kthehet në Kosovë si njeri i pasur – qoftë përmes fatit, një pune rastësore, apo një gruaje që do ta legalizojë në Zvicër.
Një realitet më i errët shpaloset përmes rrëfimit të Sokol R.*, 25 vjeç, i cili qëndroi ilegalisht në Zvicër për disa vite, duke bredhur nga një qytet në tjetrin. Ai tani është kthyer në Kosovë, por thotë: “Zvicra nuk ishte vend për mua. Nuk punova kurrë, as nuk kisha ndërmend të punoja.” Ai tregon për një botë ilegale të mbushur me vjedhje dhe tregti mallrash të vjedhura: “Artikujt e markave si Levi Strauss shiten lirë te shqiptarët.”
Sipas tij, grupet që merren me vjedhje funksionojnë në ekipe: një vëzhgon, tjetri mbart çantën e mbrojtur me letër alumini, dhe i treti vjedh. Etiketat hiqen me mjete speciale, ndërsa detektorët e sigurisë mashtroren me truke të përpunuara.
Zvicra nuk është pjesë e Bashkimit Evropian, por ndjek politika të ashpra ndaj emigracionit të paligjshëm. Sipas Zyrës Federale për Migracion, Kosova konsiderohet vend i sigurt – prandaj kërkesat për azil nuk pranohet për arsye ekonomike. Kushdo që qëndron ilegalisht ose punon në të zezë rrezikon dënim me burg deri në një vit, gjobë të majme dhe më pas dëbim të menjëhershëm.
Megjithatë, kjo nuk i ndal njerëzit nga përpjekja për të “shpëtuar” nga realiteti i vështirë në vendlindje.
Shpresa në kufijtë e pamundësisë
Historia e këtyre tre të rinjve pasqyron dilemën e mijëra kosovarëve: të rrinë në vend dhe të përballen me papunësinë, ose të marrin rrugën e emigrimit, duke u përballur me izolim, frikë dhe shpesh me realitetin e hidhur të ligjit dhe jetës në ilegalitet.
*Emrat e personazheve janë ndryshuar për arsye sigurie.









