Klodian Ferizolli, i cili punonte si pronar i një lavazhi automjetesh dhe drejtor i një kompanie për menaxhimin e pronave, u përball me drejtësinë në Gjykatën e Lartë në Glasgow. Hetimet e kryera nga autoritetet prokuroriale të COPFS-së vërtetuan se ai ishte përfshirë aktivisht në furnizimin dhe shitjen e sasive të mëdha të kokainës dhe kanabisit me vlerë dhjetëra mijëra funte.
Aktiviteti i tij kriminal doli në dritë gjatë një operacioni të gjerë të Policisë së Skocisë ndaj një grupi të strukturuar kriminal shqiptar me bazë në Glasgow, i cili kontrollonte shpërndarjen e drogës në të gjithë Skocinë qendrore. Ferizolli përdorte pothuajse çdo ditë platformën e enkriptuar të mesazheve EncroChat për të organizuar marrëveshjet e drogës me bashkëpunëtorët e tij. Megjithatë, skema e tij u zbërthye pasi hetuesit arritën të lidhnin profilin e tij anonim me personin e tij përmes një fotografie që ai vetë kishte dërguar në këtë aplikacion. Fotoja shfaqte një imazh ku dizajni i pllakave të dyshemesë së banjos përputhej me pllakat e shtëpisë së tij.
Nga përgjimet e mesazheve në EncroChat dolën detaje të imtësishme mbi shtrirjen e biznesit të tij të paligjshëm. Në një nga bisedat, ai diskutonte për sigurimin e një prone ku mund të ngrihej një fabrikë kanabisi me kapacitet prodhimi prej 10 kilogramësh. Në biseda të tjera u zbuluan lista financiare që tregonin se Ferizolli kishte për të marrë një shumë prej 355,350 funtesh nga blerësit, ndërsa konfirmonte se kishte pranuar tashmë 239,680 funte. Gjithashtu, ai kishte dërguar foto të një pluhuri të bardhë të cilës i referohej si “Columbiana”, duke ofruar furnizim me kokainë me çmim prej 39,000 funtesh për kilogram.
Prokurorja e çështjes, Sineidin Corrins, deklaroi se ky dënim është rezultat i një pune të përbashkët dhe intensive mes policisë dhe prokurorisë për goditjen e rrjeteve të furnizimit me lëndë narkotike. Ajo theksoi se synimi i autoriteteve nuk është vetëm ndalimi i korrierëve të thjeshtë, por edhe kapja e individëve që drejtojnë këto rrjete kriminale që rrezikojnë sigurinë e komuniteteve në Skoci. Pas dhënies së dënimit me tre vjet burgim për përfshirje në krimin e organizuar gjatë periudhës mars – qershor 2020, ndaj Ferizollit ka nisur edhe procedura ligjore për konfiskimin e pasurisë dhe mbledhjen e parave të përfituara nga aktiviteti i paligjshëm. /Urgjent.com/
Përgatiti: Liridona Krasniqi
Mendimi juaj ka rëndësi
Si e vlerësoni këtë artikull?