Vendimi u mor në janar të këtij viti pas një marrëveshjeje me prokurorinë, ndërsa gjykata urdhëroi gjithashtu që Gashi të kthejë shumën e përfituar prej 68,000 euro dhe të dëbohet nga Sllovenia për një periudhë trevjeçare.
Sipas aktakuzës, Gashi, në bashkëpunim me një të mitur tjetër, kishte shantazhuar një nxënës të klasës së nëntë përmes telefonit dhe rrjeteve sociale, duke e frikësuar se ai ishte person i rrezikshëm që kishte qenë në burg dhe se mund t’i shkaktonte dëme nëse nuk i jepte para. I mituri, nën presion të vazhdueshëm, i kishte dorëzuar Gashit gjithsej 68,000 euro në disa këste, para të cilat ishin marrë nga shtëpia. Shuma u nda mes dy autorëve.
Në një rast tjetër, Gashi shantazhoi një të mitur tjetër në një mënyrë të ngjashme, madje duke tentuar ta manipulojë emocionalisht, por nuk arriti të përfitonte para, prandaj kjo u konsiderua vetëm tentativë.
Gashi është arrestuar më 27 shkurt nga policia kriminale dhe që atëherë ka qenë në paraburgim. Gjatë seancës gjyqësore, gjyqtarja Masha Blazheka konfirmoi se kishte marrë një marrëveshje të nënshkruar nga i akuzuari, ku ai pranonte plotësisht përgjegjësinë për veprat e kryera. Vendimi parashikon një dënim të vetëm prej dy vitesh burg, i kombinuar nga një vit e shtatë muaj për veprën kryesore dhe shtatë muaj për tentativën.
Gjykata vendosi gjithashtu të zgjasë masën e paraburgimit për Gashin, duke e konsideruar si person me rrezik të lartë për përsëritje të veprës dhe me mundësi arratisjeje, pasi ai është shtetas i huaj.
Në seancë, avokati mbrojtës, Denis Shprah, deklaroi se klienti i tij është një i ri që ka bërë një gabim të rëndë të moshës dhe se pranimi i fajit tregon përgjegjësi dhe vullnet për t’u rehabilituar. Ai kërkoi që Gashi të vuajë dënimin në burgun e Mariborit, por mbi këtë çështje vendimi i takon Administratës për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale.
Ndërkohë, procedurat ndaj bashkëpunëtorit të mitur po zhvillohen veçmas dhe në fshehtësi, në përputhje me ligjin për mbrojtjen e të miturve.








