Sot KEDSNdërprerje Kufiri LIVE

Tentoi ta vriste policin me sharrë elektrike, 32-vjeçari nga Kosova dënohet me 10 vjet burg në Skoci

25.01.2026

Një burrë 32-vjeçar, Liridon Kastrati, është dënuar me 10 vjet burg për tentativë vrasjeje ndaj një oficeri policie në Skoci, pasi e ndoqi atë me një sharrë elektrike në dorë gjatë një incidenti të rëndë në Paisley, Renfrewshire.

Tentoi ta vriste policin me sharrë elektrike, 32-vjeçari nga Kosova dënohet me 10 vjet burg në Skoci

Ngjarja kishte ndodhur më 6 maj 2024, pasi Kastrati u përplas me veturën e tij Volkswagen në një automjet policie. Pas aksidentit, ai doli nga makina, u largua me vrap dhe më pas u kthye duke nxjerrë një sharrë elektrike, me të cilën filloi të ndjekë oficerin e policisë, PC Gary Cowan.

Sipas dëshmisë së oficerit, Kastrati e ndoqi për një distancë të konsiderueshme, duke mbajtur sharrën elektrike lart dhe duke bërtitur fjalë të pahijshme. Cowan deklaroi se kishte frikë reale për jetën e tij, duke besuar se nëse nuk do të arrinte të largohej, i dyshuari do ta vriste.

Gjykatësi William Gallacher e përshkroi incidentin si “jashtëzakonisht alarmant”, duke theksuar se nuk kishte hasur kurrë më parë përdorimin e një sharre elektrike si armë në një rast penal në Skoci. Ai shtoi se situata mund të kishte përfunduar në “një masakër” nëse oficeri do të ishte penguar ose rrëzuar gjatë ndjekjes.

Pas shpalljes së dënimit, Kastrati reagoi ashpër në sallën e gjyqit, duke goditur bankën e të akuzuarve dhe duke bërtitur në shqip dhe anglisht, duke e quajtur gjyqtarin dhe Skocinë “terroristë”. Ai u largua nga salla nën përcjelljen e rojeve.

Dënimi prej 10 vitesh burgim do të llogaritet që nga maji i vitit 2024, ndërsa Kastrati kishte qëndruar në paraburgim për rreth 18 muaj. Ai ishte shpallur fajtor për tentativë vrasjeje, ndërsa ishte liruar më herët nga disa akuza të tjera, përfshirë prishje të rendit publik dhe vjedhje automjeti.

Policia e Skocisë ka bërë të ditur se oficeri Gary Cowan është rikthyer në detyrë dhe po vazhdon punën, pavarësisht traumës së rëndë psikologjike që ka përjetuar gjatë incidentit. /Urgjent.com/

Përgatiti: Drenusha Pllana

Mendimi juaj ka rëndësi

Si e vlerësoni këtë artikull?

0 reagime

Duhet të jeni të kyçur për të ruajtur
URGJENT.COM

Përmbajtje e mbrojtur

Respektoni punën e redaksisë. Ripublikimi ose përdorimi i përmbajtjeve të mbrojtura kërkon autorizim, përveç rasteve të lejuara nga ligji.

Për ta ndarë lajmin me të tjerët, përdorni lidhjen e artikullit.