Një ngjarje tragjike ka ndodhur në qytetin Villadossola, në provincën italiane Verbano-Cusio-Ossola, ku një i ri me origjinë nga Kosova ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti gjatë punës.
Viktima është identifikuar si Pashtrik Krasniqi, 21-vjeçar, i cili punonte në çmontimin e skelave pas përfundimit të renovimeve në një objekt në këtë zonë. Sipas raportimeve të para nga mediat italiane, i riu u godit nga rryma elektrike teksa ndodhej në një platformë në një lartësi prej rreth 6 metrash.
Raportet e para hetimore tregojnë se ai aksidentalisht kishte prekur një kabllo të energjisë elektrike, me gjasë me pulpën e këmbës, çka kishte shkaktuar goditjen fatale me rrymë. Mediat si Virgilio.it dhe Il Messaggero raportojnë se ndihma emergjente kishte mbërritur në vendin e ngjarjes, por përpjekjet për ta ringjallur të riun kishin rezultuar të pasuksesshme.
Autoritetet lokale italiane kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e sakta të aksidentit dhe për të verifikuar nëse janë respektuar të gjitha standardet e sigurisë në vendin e punës.
Ngjarja ka tronditur komunitetin lokal dhe atë të emigrantëve shqiptarë në Itali, ndërsa familja e të ndjerit në Kosovë është njoftuar për humbjen e rëndë. /Urgjent.com/
Përgatiti: Ardit Berisha