Dy punëtorët, përkatësisht 21 dhe 23 vjeç, humbën jetën më 30 maj 2025 në një aksident të rëndë mes Chiusës dhe Bressanones, ndërsa po udhëtonin për në punë. Kompensimi është paguar nga kompania e sigurimeve e automjetit të kompanisë ku punonin dy të rinjtë dhe lidhet me dëmin e shkaktuar familjeve nga humbja e të afërmve.
V.X. ishte me prejardhje nga Malisheva, ndërsa D. S. nga Deçani. Të dy kishin jetuar prej kohësh në zonën e Bolzanos dhe punonin në sektorin e ndërtimit. Mediat italiane raportuan pas tragjedisë se ata kishin nisur të punonin për kompaninë lokale që në moshë të re. Pronari i kompanisë, E. V., kishte deklaruar atëherë se i njihte prej vitesh dhe i kishte përshkruar si punëtorë shumë të mirë.
Aksidenti kishte ndodhur rreth orës 06:40 të mëngjesit, teksa automjeti i kompanisë po lëvizte në drejtim të veriut, nga Bolzano drejt zonës së Brunicos, ku punëtorët duhej të shkonin në një kantier. Sipas rindërtimit të ngjarjes të publikuar nga mediat italiane, kolegu që drejtonte furgonin kishte nisur të kthehej nga korsia e parakalimit në korsinë normale të lëvizjes, por përpara ndodhej një kolonë kamionësh që po lëviznin ngadalë. Automjeti nuk arriti ta shmangte përplasjen dhe goditi pjesën e pasme të një kamioni me targa rumune.
X. dhe S.ndodheshin në anën e djathtë të furgonit dhe përplasja ishte fatale për ta. Të dy humbën jetën në vend, ndërsa drejtuesi i automjetit mbijetoi me lëndime që nuk i rrezikonin jetën. Sipas rindërtimit të publikuar nga Corriere dell’Alto Adige, pas aksidentit një prej hipotezave të hetuesve ishte se drejtuesi mund të mos e kishte vërejtur me kohë kolonën e automjeteve të rënda. Ky mbetet një përshkrim i bazuar në hetimet dhe raportimet e kohës dhe jo një konstatim që duhet trajtuar si përgjegjësi penale e provuar.
Tragjedia kishte shkaktuar dhimbje të madhe si në komunitetin shqiptar në Itali, ashtu edhe në Kosovë. D. Ss ishte nga Deçani, ndërsa V. Xh. nga Malisheva. Mediat italiane raportuan se Xh. jetonte me familjen e tij, ndërsa S. me bashkëshorten. Tani, më shumë se një vit pas aksidentit, procedura e kompensimit për humbjen familjare është përmbyllur me pagesën e rreth 2 milionë eurove në total për familjet e dy viktimave. /Urgjent.com/
Përgatiti: Ylli Gashi
Mendimi juaj ka rëndësi
Si e vlerësoni këtë artikull?