Menu

Kosova ndalon importin e shpezëve dhe produkteve të tyre nga Italia

para 10 dite

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë së Republikës së Kosovës (AUV) ka bërë të ditur se ka ndaluar importin e shpezëve dhe produkteve të tyre me origjinë nga Italia, si masë parandaluese ndaj përhapjes së gripit të shpezëve.

Kosova ndalon importin e shpezëve dhe produkteve të tyre nga Italia

Sipas AUV-së, vendimi është marrë pas raportimeve të fundit nga Organizata Botërore për Shëndetin e Kafshëve (WOAH) dhe nga Komisioni Evropian, ku është konfirmuar prania e sëmundjes Avian Influenza (Gripi i Shpezëve) HPAI–H5N1 në ferma komerciale dhe te shpezët e egra në rajonet Emilia-Romagna dhe Lombardia të Italisë.

Në njoftim thuhet se:

“Ndalohet importi i kafshëve të gjalla, shpezëve dhe produkteve të tyre që e kanë origjinën nga zonat e infektuara të shtetit të Italisë, përveç nëse ato vijnë nga ferma të paprekura nga sëmundja dhe përtej një rrethi prej 50 kilometrash nga zonat e prekura.”

AUV bën të ditur se kjo ndalesë hyn në fuqi menjëherë dhe do të mbetet aktive deri në vlerësimin e mëtejshëm të situatës, në koordinim me autoritetet ndërkombëtare të sigurisë ushqimore dhe veterinare.

Autoritetet apeluan te bizneset importuese të respektojnë vendimin, me qëllim garantimin e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit të kafshëve dhe konsumatorëve në vend.

Duhet të jeni të kyçur për të komentuar.
Duhet të jeni të kyçur për të ruajtur