Menu

Arrijnë në Kosovë 350 ushtarë britanikë me 70 automjete ushtarake

22.08.2025

Një kontingjent i ri i KFOR-it, i përbërë nga trupa britanike, ka mbërritur sot në Kosovë për të forcuar gatishmërinë operacionale të forcave paqeruajtëse.

Arrijnë në Kosovë 350 ushtarë britanikë me 70 automjete ushtarake

Rreth 70 automjete ushtarake dhe mbi 350 trupa të regjimentit “Scots Guards” kanë mbërritur në kampin Bondsteel, duke shënuar përfundimin e dislokimit të tyre të përkohshëm.

Ky kontingjent do të marrë pjesë në një sërë aktivitetesh stërvitore, së bashku me pjesëtarë të tjerë të KFOR-it. Sipas njoftimit nga NATO, këto stërvitje janë pjesë e trajnimeve të rregullta që kanë për qëllim rritjen e aftësisë së KFOR-it për t’iu përgjigjur shpejt dhe në mënyrë efektive çdo zhvillimi të mundshëm të sigurisë.

Prania e këtyre forcave vjen në kuadër të mandatit të KFOR-it, që synon të garantojë një mjedis të sigurt dhe të qetë për të gjitha komunitetet në Kosovë, si dhe të sigurojë lirinë e lëvizjes. Operacionet do të kryhen në bashkërendim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe misionin e EULEX-it.

Pas përfundimit të stërvitjeve të planifikuara, trupat e “Scots Guards” do të kthehen në bazën e tyre në Mbretërinë e Bashkuar.

Duhet të jeni të kyçur për të komentuar.
Duhet të jeni të kyçur për të ruajtur