Menu

IKSHPK: 19 raste të reja me HIV në Kosovë gjatë shtatëmujorit të parë të vitit 2025

12.08.2025

Rastet e HIV/AIDS në Kosovë për periudhën janar–korrik 2025 tregojnë një situatë që kërkon vëmendje të vazhdueshme shëndetësore dhe sensibilizim publik. Sipas të dhënave të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, nga 1 janari deri më 31 korrik 2025 janë regjistruar 19 raste të reja me HIV/AIDS, prej të cilave 16 janë të gjinisë…

IKSHPK: 19 raste të reja me HIV në Kosovë gjatë shtatëmujorit të parë të vitit 2025

Rastet e HIV/AIDS në Kosovë për periudhën janar–korrik 2025 tregojnë një situatë që kërkon vëmendje të vazhdueshme shëndetësore dhe sensibilizim publik.

Sipas të dhënave të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, nga 1 janari deri më 31 korrik 2025 janë regjistruar 19 raste të reja me HIV/AIDS, prej të cilave 16 janë të gjinisë mashkullore dhe 3 të gjinisë femërore. Gjatë kësaj periudhe është shënuar edhe një rast vdekjeje si pasojë e AIDS-it.

Nga viti 1986 deri në vitin 2025 në Kosovë janë regjistruar gjithsej 234 raste me HIV/AIDS, ndërsa 53 persona kanë humbur jetën nga pasojat e kësaj sëmundjeje.

HIV është virus që dëmton sistemin imunitar dhe, nëse nuk trajtohet, çon në AIDS, fazën më të avancuar të infeksionit. Nuk ekziston shërim për HIV-in, por trajtimi i rregullt mundëson që personat që jetojnë me këtë virus të kenë jetë të gjatë dhe të shëndetshme, si dhe të parandalojnë bartjen e tij tek të tjerët. Virusi bartet kryesisht përmes marrëdhënieve seksuale pa mbrojtje, përdorimit të përbashkët të shiringave apo gjilpërave, si dhe nga nëna tek fëmija gjatë shtatzënisë, lindjes ose gjidhënies.

HIV nuk transmetohet përmes kontaktit të zakonshëm si përqafimi, shtrëngimi i dorës, ndarja e ushqimit apo ujit, ajri apo pickimi i mushkonjave. Parandalimi bazohet në përdorimin e prezervativit në çdo kontakt seksual, përdorimin e mjeteve sterile për injektim dhe testimin e rregullt në qendrat për këshillim dhe testim vullnetar, të cilat ofrojnë shërbime falas, anonime dhe konfidenciale.

Qendrat për testim gjenden në Klinikën Infektive të QKUK-së, Qendrën e Studentëve të Universitetit të Prishtinës, OJQ Labirinti në Prishtinë, Prizren dhe Gjilan, si dhe në CSGD në Prishtinë.

Duhet të jeni të kyçur për të komentuar.
Duhet të jeni të kyçur për të ruajtur