Deri të hënën, kjo parti ende nuk ka marrë një vendim zyrtar.
Afati përfundimtar për propozimin e mandatarit të ri është të mërkurën, më 5 nëntor, kur skadon periudha 10-ditore brenda së cilës presidentja Vjosa Osmani duhet të vendosë nëse do të mandatojë një kandidat tjetër për kryeministër apo do të shpallë zgjedhjet e parakohshme.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili në përpjekjen e parë dështoi të sigurojë 61 votat e nevojshme për t’u bërë kryeministër, i kishte kërkuar presidentes disa ditë shtesë për të vendosur nëse do të tentojë sërish formimin e qeverisë apo do t’i bashkohet partive të tjera që kërkojnë zgjedhje.
Në anën tjetër, partitë e tjera të përfaqësuara në Kuvend janë shprehur qartë në favor të zgjedhjeve të reja. Përfaqësuesit e tyre, që të premten u takuan me presidenten Osmani, kanë deklaruar se asnjëra nga partitë që kanë përfaqësim në Kuvendin e Kosovës nuk e ka shumicën për formimin e ekzekutivit të ri.
Nëse presidentja vendos të mandatojë një kandidat tjetër, ai do të ketë në dispozicion 15 ditë për të paraqitur në Kuvend programin qeverisës dhe përbërjen e kabinetit.
Kuvendi i Kosovës u konstituua më 10 tetor, tetë muaj pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Kriza aktuale politike dhe institucionale nisi fillimisht për shkak të mosmarrëveshjeve mes partive më të mëdha shqiptare për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, e më vonë u thellua pas përplasjes rreth përzgjedhjes së nënkryetarit nga komuniteti serb.






