Sot KEDSNdërprerje Kufiri LIVE
Tenderi kap vlerën 200 mijë euro

Policia planifikon 60 biçikleta elektrike të fuqishme

para 41 dite

Policia e Kosovës ka hapur procedurë të prokurimit për furnizim me biçikleta elektrike, me vlerë të parashikuar të kontratës prej 200 mijë eurosh.

Policia planifikon 60 biçikleta elektrike të fuqishme

Aktiviteti i prokurimit mban titullin “Furnizim me Biçikleta Elektrike” dhe është iniciuar si kontratë publike kornizë me një operator ekonomik. Dosja e tenderit është përgatitur më 25 shtator 2026, ndërsa tenderët duhet të dorëzohen deri më 9 nëntor 2026, në ora 14:00.

Sipas dokumentacionit të tenderit, kontrata kornizë do të ketë kohëzgjatje prej 36 muajsh, ndërsa furnizimet do të bëhen vetëm pas lëshimit të urdhërblerjeve nga Policia e Kosovës. Afati për dorëzimin e biçikletave pas secilit urdhërblerje është përcaktuar në 120 ditë kalendarike, ndërsa vendi i dorëzimit është Flota Operative e Policisë.

Kërkesat teknike tregojnë se Policia synon biçikleta elektrike me karakteristika relativisht të fuqishme. Motori duhet të jetë i integruar në trupin e biçikletës dhe të ketë fuqi minimale prej 950W, ndërsa fuqia maksimale për periudha të shkurtra duhet të arrijë së paku 1500W. Bateria duhet të ketë kapacitet minimal prej 950Wh dhe të jetë e integruar në trup, ndërsa autonomia e kërkuar është të paktën 115 kilometra me pedalime dhe 85 kilometra pa pedalime.

Biçikletat duhet të kenë amortizim para dhe prapa, frena hidraulike me disqe, ekran me ngjyra, rrota së paku 26 inç dhe goma me trashësi prej 3,8 deri në 4,2 inç. Trupi duhet të jetë prej alumini dhe me ngjyrë të zezë, ndërsa në të dyja anët duhet të vendoset mbishkrimi “POLICE” me ngjyrë të bardhë. Parashihet edhe çantë e pasme me mbishkrimin e Policisë dhe sistem i ndërrimit të marsheve Shimano ose ekuivalent me së paku tetë shpejtësi.

Në specifikime janë përfshirë edhe pajisjet për përdorim policor. Biçikletat duhet të pajisen me tri drita të përparme – të kaltër, të kuqe dhe të bardhë – me funksion strobe, si dhe me dritë të pasme që mund të ndryshojë mes ngjyrës së kuqe dhe të kaltër. Dritat duhet të jenë rezistente ndaj ujit, ndërsa sirena kërkohet të ketë fuqi prej së paku 135 decibelësh. Policia kërkon gjithashtu garanci trevjeçare për kornizën dhe dyvjeçare për baterinë.

Operatori që fiton tenderin do të obligohet të ofrojë servisimin e biçikletave për tre vjet dhe të sigurojë riparimin e tyre në tërë territorin e Kosovës. Sipas kushteve, pas njoftimit për ndonjë defekt, operatori duhet të paraqitet në lokacionin e kërkuar nga Policia brenda maksimumi 24 orëve gjatë ditëve të punës, ndërsa riparimi ose zëvendësimi i pjesëve duhet të përfundojë brenda 48 orëve nga paraqitja në lokacion.

Dosja përcakton se kontrata do t’i jepet tenderit të përgjegjshëm me çmimin më të ulët. Për pjesëmarrje kërkohet edhe sigurim i tenderit në vlerë prej 5 mijë eurosh, ndërsa operatori fitues duhet të ofrojë sigurim të ekzekutimit në masën 10 për qind të kontratës për periudhë prej 37 muajsh. /Urgjent.com/

Përgatiti: Blerina Hoxha

Mendimi juaj ka rëndësi

Si e vlerësoni këtë artikull?

1 reagime

Duhet të jeni të kyçur për të ruajtur
URGJENT.COM

Përmbajtje e mbrojtur

Respektoni punën e redaksisë. Ripublikimi ose përdorimi i përmbajtjeve të mbrojtura kërkon autorizim, përveç rasteve të lejuara nga ligji.

Për ta ndarë lajmin me të tjerët, përdorni lidhjen e artikullit.