Menu

Siria njeh Republikën e Kosovës – Një hap historik në arenën ndërkombëtare

para 38 dite

Republika e Kosovës ka shënuar një moment historik në rrugëtimin e saj diplomatik, pasi Republika Arabe e Sirisë ka vendosur ta njohë pavarësinë e saj.

Siria njeh Republikën e Kosovës – Një hap historik në arenën ndërkombëtare

Kjo marrëveshje u arrit sot në Riad, me mbështetjen e Lartësisë së Tij Mbretërore, Princit të Kurorës së Arabisë Saudite, Muhammed bin Salman Al Saud.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, përmes një deklarate zyrtare ka konfirmuar njohjen nga Siria, duke e cilësuar këtë akt si rezultat të një angazhimi të gjatë diplomatik dhe një dëshmi të mbështetjes së vazhdueshme ndërkombëtare për shtetin e Kosovës. Ajo shprehu mirënjohje të veçantë për Presidentin sirian Al Sharaa dhe Princin e Kurorës së Arabisë Saudite, të cilët luajtën rol kyç në arritjen e marrëveshjes.

Presidentja Osmani theksoi se popujt e Kosovës dhe Sirisë kanë përjetuar vuajtje të mëdha historike në kërkim të lirisë dhe të drejtës për vetëvendosje. Sipas saj, kjo njohje nuk është vetëm një akt formal diplomatik, por një nderim për sakrificën dhe qëndresën e shumë brezave që luftuan për liri dhe sovranitet.

Me këtë zhvillim të ri, numri i shteteve që e njohin pavarësinë e Republikës së Kosovës arrin në 120. Ky është një sinjal i fortë se shteti i Kosovës po forcon pozitën e tij ndërkombëtare dhe po ecën përpara drejt integrimit të plotë në organizatat globale.

Presidentja Osmani deklaroi se ky akt është dëshmi se asgjë nuk mund ta ndalë rrugëtimin e Kosovës drejt afirmimit të plotë në komunitetin ndërkombëtar, duke e cilësuar njohjen nga Siria si një fitore të rëndësishme për diplomacinë kosovare dhe për popullin e Kosovës.

Duhet të jeni të kyçur për të komentuar.
Duhet të jeni të kyçur për të ruajtur