Sot KEDSNdërprerje Kufiri LIVE
150 mijë euro për sistemin e patentave

Verifikim automatik me Policinë për patentë të humbur apo vjedhur

para 49 dite

Ministria e Punëve të Brendshme po planifikon avancimin e Sistemit Elektronik të Patentë-Shoferëve, ndërsa një nga ndryshimet më konkrete të parashikuara është ndërlidhja më e drejtpërdrejtë e sistemit me Policinë e Kosovës.

Verifikim automatik me Policinë për patentë të humbur apo vjedhur

Sipas dosjes së tenderit të publikuar nga MPB-ja, në sistem duhet të shtohet një modul që mundëson verifikimin automatik të rasteve kur një qytetar ka raportuar në Polici humbjen ose vjedhjen e patentë-shoferit. Kjo do të thotë se sistemi i patentave parashihet të mund ta kontrollojë elektronikisht një informacion të tillë, pa u mbështetur vetëm në procedura të ndara mes institucioneve.

Në të njëjtin projekt është paraparë edhe ndërlidhja e sistemit të aplikimeve për patentë-shofer me ndalesat administrative të Policisë. Dokumenti nuk specifikon se çfarë vendimi do të merret automatikisht në secilin rast, por kërkon që këto të dhëna të jenë të ndërlidhura me procesin e aplikimit.

Sistemi aktual tashmë përmban një modul të dedikuar për Policinë dhe një modul për vendosjen e ndalesave administrative, ndërsa avancimi i ri synon që këto procese të integrohen më tej dhe të shkëmbejnë të dhëna në mënyrë më të automatizuar.

MPB-ja kërkon gjithashtu që sistemi të jetë i integrueshëm me aplikacione dhe sisteme të institucioneve të tjera. Për këtë qëllim, kompania që do ta marrë kontratën duhet të krijojë dhe modifikojë API, apo shërbime elektronike, për shkëmbimin e të dhënave përmes platformës së interoperabilitetit dhe sistemeve të tjera institucionale.

Tenderi për “Avancimin dhe Mirëmbajtjen e Sistemit Elektronik për Patentë Shoferë dhe Nënshkrues Elektronik” ka vlerë të parashikuar prej 150 mijë eurosh dhe është hapur nga Ministria e Punëve të Brendshme. Afati aktual për dorëzimin e ofertave është 7 tetor 2026.

Projekti parashihet të zgjasë 36 muaj. Katër muajt e parë janë paraparë për avancimin e sistemit, ndërsa më pas parashihet mirëmbajtja për 32 muaj. Kompania fituese duhet fillimisht, brenda 20 ditësh nga nënshkrimi i kontratës, ta analizojë sistemin dhe t’ia paraqesë MPB-së raportin përkatës.

Në kuadër të të njëjtit avancim parashikohen edhe ndryshime të tjera, përfshirë integrimin e patentë-shoferëve ndërkombëtarë në sistem, shtimin e modulit për patentat e kualifikimit profesional, zgjerimin e shërbimeve online dhe modernizimin e sigurisë së sistemit.

Ndryshimet janë ende në fazën e prokurimit dhe funksionalitetet e përshkruara në dosje paraqesin kërkesat që MPB-ja synon t’i implementojë përmes kontratës së ardhshme, jo shërbime që tashmë janë aktive. /Urgjent.com/

Përgatiti: Blerina Hoxha

Mendimi juaj ka rëndësi

Si e vlerësoni këtë artikull?

3 reagime

Duhet të jeni të kyçur për të ruajtur
URGJENT.COM

Përmbajtje e mbrojtur

Respektoni punën e redaksisë. Ripublikimi ose përdorimi i përmbajtjeve të mbrojtura kërkon autorizim, përveç rasteve të lejuara nga ligji.

Për ta ndarë lajmin me të tjerët, përdorni lidhjen e artikullit.