Në njoftimin e saj, SHKKSH bën të ditur se ekipet ndodhen ende në terren dhe po veprojnë në bashkëpunim të ngushtë me Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe me institucionet e tjera përkatëse. Përfshirë është edhe komuniteti lokal, i cili po ofron ndihmën e vet për lehtësimin e kërkimeve.
“Shoqata e Kosovës për Kërkim-Shpëtim njofton se edhe sot po vazhdon operacioni kërkim-shpëtimi për gjetjen e shtetasit Ismet Millaku, 70 vjeç, nga fshati Ujmirë, i zhdukur që nga data 02.09.2025. Ekipet tona mbeten në terren dhe po bashkëpunojnë me institucionet përkatëse dhe komunitetin lokal”, thuhet në komunikatën zyrtare të shoqatës.
Operacioni i kërkim-shpëtimit ka nisur që të premten dhe deri më tani nuk ka ende rezultat konkret për gjetjen e 70-vjeçarit. Autoritetet dhe ekipet e angazhuara kanë bërë të ditur se kërkimet do të vazhdojnë derisa të sigurohen të gjitha informacionet e mundshme që mund të çojnë në zbulimin e tij.







