Në këtë periudhë janë shënuar dy raste të dhunës në familje, ndërsa katër raste të tjera lidhen me kanosje në Prishtinë, Kaçanik, Vushtrri dhe Zveçan.
Policia ka raportuar edhe për raste të shumta që lidhen me armë, ku katër persona u kapën me armë pa leje ose duke i përdorur ato në Gllogoc, Lipjan, Suharekë dhe Korroticë të Poshtme. Po ashtu, tre raste zjarresh u regjistruan në Vragoli të Fushë Kosovës, në fshatin Medvec të Mamushës dhe në Klinë, ku janë shkaktuar dëme materiale dhe është rrezikuar edhe jeta e qytetarëve.
Në Obiliq është raportuar një rast i dëmtimit të pronës pas një përleshjeje mes dy shoferëve, ndërsa në Prizren një person ka sulmuar zyrtarët policorë gjatë kryerjes së detyrës. Po aty, policia ka arrestuar dy persona për posedim të substancave narkotike. Në Ferizaj janë shënuar dy raste të vjedhjeve të rënda në shtëpi, ndërsa në Prishtinë një person është proceduar për pengim të zyrtarit gjatë kryerjes së detyrës. Në kufi janë evidentuar dy raste të tjera, një për prishje të rendit dhe një tjetër për kalim të paautorizuar të kufirit. Në Klinë, gjatë kërkimeve janë gjetur mbetje eshtërrore që dyshohet se i përkasin një personi të zhdukur nga lufta e viteve 1998-1999.
Sa i përket trafikut, brenda kësaj periudhe kanë ndodhur dy aksidente me fatalitet, 28 aksidente me të lënduar dhe 57 me dëme materiale. Policia ka shqiptuar gjithsej 2,454 tiketa trafiku. Në nivel vendi janë arrestuar 20 persona, prej të cilëve 15 janë mbajtur në paraburgim.







