Menu

30 të dyshuar për dhunë në familje po vëzhgohen nga policia

para 5 dite

Në dhjetor të vitit të kaluar, në Kosovë nisën të vendosen byzylykë elektronikë te personat e dyshuar për dhunë në familje dhe viktimat e kësaj vepre. Vetëm gjatë periudhës janar–shtator të këtij viti, 30 personave iu vendosën pajisje të tilla.

30 të dyshuar për dhunë në familje po vëzhgohen nga policia

Policia e Kosovës njofton se të gjithë personat e monitoruar janë meshkuj dhe të përfshirë në raste të “dhunës në familje”. Gjatë këtij periudhe, reagimi i policisë në rastet e shkeljeve ka qenë i menjëhershëm dhe ka vepruar në përputhje me Kodin Penal të Republikës së Kosovës. Për momentin, rajoni i Prishtinës ka më së shumti persona nën këtë lloj monitorimi.

Ish-eprori i policisë, Refki Morina, e mirëpriti përdorimin e byzylykëve elektronikë, duke theksuar efektet pozitive në uljen e rasteve të dhunës në familje. Ai shpjegon se pajisjet veprojnë në bazë të GPS-it, dhe personeli i trajnuar reagon në rastet kur sulmuesi afrohet te viktima. “Është i suksesshëm, por profesionalizmi rritet gradualisht me praktikën e vazhdueshme të pjesëtarëve të policisë, sidomos të departamentit për dhunë në familje”, tha Morina.

Edhe Rrjeti i Grave i Kosovës (RrGK) e ka mirëpritur këtë hap, duke theksuar se monitorimi elektronik i personave të dyshuar është një lajm i mirë. Sipas Besarta Breznicës nga RrGK-ja, ende ka shumë raste të dhunës në familje ku gjykatat nuk vendosin byzylykë për mbikëqyrje më të mirë të urdhrave mbrojtës. Ajo përmendi rastet e Diana Kastratit dhe Hamide Magashit si shembuj tragjikë që tregojnë nevojën për vendosjen e këtyre pajisjeve.

Këtë javë në Kosovë është bërë edhe hapja e fushatës “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore”, duke i dhënë fokus vazhdimit të përpjekjeve për mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje.

Duhet të jeni të kyçur për të komentuar.
Duhet të jeni të kyçur për të ruajtur