Sipas informatave zyrtare, viktima (M. V.), shtetas i Republikës së Kosovës dhe i nacionalitetit serb, dyshohet se është plagosur dhe më pas rrëmbyer brenda territorit të Kosovës nga persona që i përkasin xhandarmerisë serbe.
Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur në një hapësirë të njohur si “pika zero (0)”, një zonë kufitare midis Republikës së Kosovës dhe Serbisë, në afërsi të Leposaviqit. Menjëherë pas raportimit, Policia e Kosovës ka njoftuar dhe ka bashkëpunuar me KFOR-in, i cili është përgjegjës për brezin kufitar.
Hetimet dhe veprimet policore Në komunikatën zyrtare thuhet se Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore. Janë intervistuar dëshmitarë të rastit, të cilët kanë deklaruar se disa persona të maskuar kanë hyrë në territorin e Kosovës, kanë plagosur dhe rrëmbyer viktimën, e cila më pas është dërguar në territorin e Serbisë.
Sipas dëshmive, viktima është transportuar me autoambulancë në drejtim të qytetit të Nishit në Serbi. Policia në koordinim me institucionet e drejtësisë Policia e Kosovës thekson se ka bashkëpunuar ngushtë me institucionet relevante dhe organet e drejtësisë, ndërsa në konsultim me prokuroren kompetente të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë – Departamenti për Krime të Rënda, është inicuar rasti për hetim të mëtejmë.
Angazhimi i Policisë së Kosovës në fund të njoftimit, Policia e Kosovës ka deklaruar se mbetet e përkushtuar ndaj zbatimit të detyrave dhe përgjegjësive të saj ligjore, duke vepruar në mënyrë profesionale dhe të paanshme, si dhe në bashkëpunim me të gjitha institucionet e sigurisë për mbrojtjen e qytetarëve dhe sovranitetit të vendit.






