Menu

Rritje shqetësuese e vetëvrasjeve në Kosovë, KMDLNJ kërkon masa urgjente

23.08.2025

Në harkun kohor të vetëm 48 orëve, gjashtë jetë u humbën në rrethana të dyshimta, me shumicën e këtyre rasteve që dyshohet të jenë vetëvrasje. Kjo shifër alarmante ka ngritur shqetësime të mëdha në shoqërinë tonë, duke theksuar një krizë të thellë që po prek shumë familje.

Rritje shqetësuese e vetëvrasjeve në Kosovë, KMDLNJ kërkon masa urgjente

Behxhet Shala, kryetar i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ), i ka cilësuar këto vdekje si “alarmante” dhe ka kritikuar mungesën e statistikave zyrtare që do të pasqyronin saktësisht realitetin. Sipas tij, shumë raste të dyshimta, edhe pse dëshmohen si vetëvrasje, shpesh heshten pasi hyjnë në procedura gjyqësore, duke e bërë të pamundur pasqyrimin e shifrave të vërteta.

Shala vuri në dukje se ndryshe nga periudha pas luftës, kur numri i vetëvrasjeve ishte më i ulët pavarësisht situatës post-traumatike, sot shkaktar kryesor po bëhet kriza e thellë ekonomike.

“Në një krizë të rënduar ekonomike-sociale, njerëzit nuk po shohin shpresë,” theksoi ai. Shumë qytetarë, sidomos pensionistët të cilët nuk kanë parë rritje të pensioneve për pesë vjet me radhë, po vuajnë nga një gjendje e rëndë financiare. Mungesa e mundësisë për të siguruar gjërat elementare për familjen po i shtyn shumë njerëz drejt veprimeve të dëshpëruara dhe fatale.

Një tjetër pikë kritike e ngritur nga Shala ishte mungesa e mekanizmave parandalues nga ana e institucioneve. Sipas tij, shoqëria dhe institucionet shpesh reagojnë vetëm pas ndodhjes së një tragjedie, duke e trajtuar çështjen si një “këngë vajtuese” derisa ajo të harrohet.

“Të gjithë po merremi me pasojën… por nuk ka asnjë mekanizëm parandalues,” tha Shala. Ai theksoi se është përgjegjësi institucionale që të ndërtohen politika dhe programe që synojnë uljen e këtyre rasteve tragjike. Ndërsa vetëvrasjet nuk mund të çrrënjosen plotësisht, një angazhim serioz institucional do të ndihmonte në uljen e numrit të tyre.

Duhet të jeni të kyçur për të komentuar.
Duhet të jeni të kyçur për të ruajtur