Sipas njoftimit zyrtar, aksioni është realizuar në tri lokacione – dy në Prishtinë dhe një në fshatin Rimanishtë – me urdhër të Gjykatës Themelore në Prishtinë. Gjatë bastisjeve janë gjetur pajisje elektronike, armë të zjarrit, municion, drogë dhe mjete për përpunimin e saj.
Sekuestrimet kryesore përfshijnë: 142 kg e 172 gram substancë narkotike (Kanabis Sativa) në fazë përfundimtare të përpunimit; Një armë Sig Sauer 9×19 mm me karikator dhe 12 fishekë; Një armë automatike AK-47 me pesë karikatorë, 99 fishekë dhe një bajonetë; 10 telefona celularë dhe pajisje të tjera të rëndësishme për hetime.
Gjatë verifikimit të njërit prej të dyshuarve, F.D., u konstatua se ndaj tij ekzistonte një urdhër-arrest aktiv për çështje narkotikësh. Ai është dërguar për vuajtje të dënimit.
Nga të ndaluarit, nëntë persona janë mbajtur për 48 orë, ndërsa ndaj të tjerëve janë hapur procedura të ndara, në konsultim me prokurorin kompetent.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se operacionet do të vazhdojnë në koordinim me organet e drejtësisë, me qëllim ndriçimin e plotë të rastit dhe vënien para drejtësisë të të gjithë personave të përfshirë.
Sipas policisë, aksioni i sotëm pason hetimet lidhur me rastin e ndodhur më datë 30.04.2025, ku në parkingun e QKUK-së në Prishtinë kishte ndodhur një shpërthim në një veturë të tipit Mercedes B-Class, pronë e drejtorit të QKUK-së. Pas kësaj policia ka nisur hetimet për rastin.






