Menu

Tri raste të vetëvarjes sot në Kosovë!

18.08.2025

Tri raste të ndara vdekjesh të dyshimta janë raportuar sot në Kosovë, duke tronditur opinionin publik në Zveçan, Skenderaj dhe Obiliq. Të tre viktimat janë burra, të cilët janë gjetur të varur në rrethana të ndryshme.

Tri raste të vetëvarjes sot në Kosovë!

Ngjarja e parë u zbulua në orët e para të mëngjesit në Zveçan. Një burrë, i identifikuar si D.F., 77-vjeç, është gjetur i varur në rrethojat metalike të shtëpisë së tij në rrugën “Mbreti Petar”. Policia e Kosovës ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimet për vdekje të dyshimtë. Trupi i pajetë është dërguar për obduksion për të përcaktuar shkakun e saktë të vdekjes.

Një tjetër rast i rëndë u shënua paradite në Skenderaj. Rreth orës 10:00, policia u njoftua se në një zonë pyjore pranë fushës së sportit në fshatin Prekaz i Poshtëm, ishte gjetur një person i varur. Patrulla policore konfirmoi rastin rreth 20 minuta më vonë. Viktima, një burrë rreth 65 vjeç, u gjet pa shenja jete. Identiteti i tij ende nuk është konfirmuar zyrtarisht, dhe njësitë hetimore po punojnë në vendngjarje.

Rasti i tretë ndodhi në Obiliq, ku rreth orës 10:04, policia u lajmërua se në rrugën “Hasan Prishtina” ishte gjetur një burrë i varur. Viktima, e cila dyshohet të jetë rreth 45-50 vjeç, u gjet pranë shtëpisë së tij. Mjeku i QKMF-së konstatoi vdekjen e tij në vend. Hetuesia po punon për të zbardhur rrethanat e plota të kësaj tragjedie.

Të tre rastet po hetohen nga autoritetet përkatëse dhe pritet që rezultatet e hetimeve të hedhin dritë mbi rrethanat e këtyre vdekjeve të dyshimta.

Duhet të jeni të kyçur për të komentuar.
Duhet të jeni të kyçur për të ruajtur