Vendimi është konfirmuar nga Gjykata Supreme Federale e Zvicrës, e cila ka mbështetur qëndrimin e Gjykatës së Apelit të Bazelit se rreziku i arratisjes është real dhe i pranishëm.
Rasti lidhet me një ngjarje të ndodhur në Horburgpark të Bazelit, ku i pandehuri akuzohet se ka përdhunuar një grua të cilën e kishte takuar më herët gjatë natës në një klub. Burri ka pranuar se ka pasur marrëdhënie seksuale me viktimën, por ka këmbëngulur se gjithçka ka qenë me pëlqimin e të dy palëve. Megjithatë, gjykata e shkallës së parë e dënoi në janar me katër vjet e tetë muaj burgim, duke e shpallur fajtor për përdhunim.
Dokumentet e publikuara të martën nga Gjykata Federale theksojnë se i dënuari ka një precedent penal të mëparshëm, gjë që rëndon pozitën e tij në proces. Sipas gjykatës, ekzistojnë rrethana konkrete që tregojnë rrezik të lartë arratisjeje, pavarësisht se ai jeton në Zvicër që nga viti 2015 dhe ka lidhje të ngushta familjare me nënën dhe vëllezërit e motrat që banojnë në këtë vend.
Fatura Planet Prishtinë, Kosovë
Megjithatë, praninë e të afërmve në Kosovë gjykata e ka konsideruar si faktor shtesë që mund të lehtësonte arratisjen. Për më tepër, ai përballet jo vetëm me një dënim të rëndë me burg, por edhe me një vendim të mundshëm dëbimi nga Zvicra – çka rrit motivimin për t’i shmangur procedurat e mëtejshme gjyqësore.
Sipas vlerësimit të instancave federale, edhe pse i dënuari ka vuajtur afërsisht 18 muaj të dënimit, ky fakt nuk ndryshon rrethanat e rrezikut. Gjykata ka konfirmuar se paraburgimi mbetet masa më e arsyeshme deri në shqyrtimin përfundimtar të apelimit.







