Menu

Grabitje si në filma në Itali – sulmohet autoblinda në autostradë, vidhen dy milionë euro

para 5 dite

Një grabitje e mirëorganizuar ka ndodhur këtë mëngjes në Itali, ku një bandë e armatosur ka sulmuar një furgon të blinduar në autostradën A2, në territorin e Reggio Calabria, duke shkaktuar kaos të plotë në qarkullim dhe duke grabitur rreth dy milionë euro.

Grabitje si në filma në Itali – sulmohet autoblinda në autostradë, vidhen dy milionë euro

Ngjarja është shënuar rreth orës 06:30, brenda një tuneli në autostradën A2, midis kryqëzimeve Scilla dhe Bagnara, në drejtim të veriut. Sipas informacioneve të para, grabitësit kanë bllokuar trafikun duke vendosur disa automjete në mes të rrugës, të cilat më pas i kanë djegur, ndërsa asfaltin e kanë mbuluar me gozhda për të pamundësuar lëvizjen e mjeteve.

Pasi kanë ndaluar furgonin e blinduar, autorët kanë hapur zjarr dhe kanë detyruar personelin e mjetit të dorëzojë paratë që transportoheshin. Pas grabitjes, ata janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Fatmirësisht, gjatë sulmit nuk raportohet për persona të lënduar, pavarësisht të shtënave me armë zjarri.

Mjeti i sulmuar i përkiste kompanisë së sigurisë “Sicurtransport”, ndërsa sipas vlerësimeve fillestare, shuma e grabitur kap vlerën e rreth dy milionë eurove.

Në vendngjarje kanë dalë menjëherë forca të shumta policie dhe zjarrfikës, të cilët kanë siguruar zonën dhe kanë ndërhyrë për shuarjen e zjarreve. Si pasojë e grabitjes, autostrada A2 është bllokuar për qarkullim në drejtim të veriut, duke shkaktuar vonesa të mëdha dhe devijime të detyruara të trafikut.

Automjetet e lehta janë detyruar të dalin nga autostrada në kryqëzimin e Scillas dhe të ribashkohen në Bagnara, ndërsa automjetet e rënda janë ndalur përkohësisht në zonën e Campo Calabros.

Policia italiane ka nisur hetimet për të rindërtuar plotësisht ngjarjen dhe për të identifikuar autorët e grabitjes, të cilët dyshohet se kanë vepruar me planifikim të detajuar dhe logjistikë të avancuar.

Duhet të jeni të kyçur për të komentuar.
Duhet të jeni të kyçur për të ruajtur