Menu

Paga minimale në kujdesin mjekësor në Gjermani rritet deri në 21.58 € në orë

para 5 dite

Sektori i kujdesit për të moshuarit në Gjermani po hyn në një fazë të re rritjesh pagash.

Paga minimale në kujdesin mjekësor në Gjermani rritet deri në 21.58 € në orë

Komisioni i Infermierisë dhe Kujdesit Mjekësor ka miratuar një vendim të rëndësishëm, i cili parashikon rritje të ndjeshme të pagave minimale orare – duke shkuar deri në 21.58 euro në orë për infermierët e kualifikuar. Kjo shumë tejkalon dukshëm pagën minimale ligjore të përgjithshme, e cila aktualisht është 12.82 euro në orë.

Megjithatë, rritja nuk do t’i prekë të gjithë punonjësit, pasi pagesat minimale të reja zbatohen vetëm në institucionet që i nënshtrohen skemës së pagës minimale të kujdesit mjekësor – jo në familjet private ose sektorë të tjerë ku ofrohet kujdes individual.

Rritje në dy faza deri në vitin 2027

Pagat do të rriten në dy faza, më 1 korrik 2026 dhe më 1 korrik 2027. Komisioni ka vendosur sërish kategorizimin e pagave sipas nivelit të kualifikimit, i cili mbetet model bazë për sistemin gjerman të kujdesit.

Ja sa do të paguhen punonjësit në sektorin e kujdesit:

1. Personeli ndihmës (Pflegehilfskräfte)
– Aktualisht: 16.10 €
– 01.07.2026: 16.52 €
– 01.07.2027: 16.95 €

2. Stafi mbështetës i kualifikuar (minimum 1 vit trajnim)
– Aktualisht: 17.35 €
– 01.07.2026: 17.80 €
– 01.07.2027: 18.26 €

3. Infermierët e kualifikuar/Regjistruar (Pflegefachkräfte)
– Aktualisht: 20.50 €
– 01.07.2026: 21.03 €
– 01.07.2027: 21.58 €

Këto tarifa do të jenë të unifikuara në gjithë territorin e Gjermanisë, pa dallim land-i apo tipi të institucionit.

Përfitime shtesë: pushim i paguar ekstra

Komisioni rekomandon që të gjithë punonjësit e kujdesit për të moshuarit të kenë të drejtë për nëntë ditë pushim të paguar ekstra në vit, përveç pushimit minimal ligjor. Ky është një nga përfitimet më të rëndësishme në sektor, duke synuar uljen e ngarkesës së punës dhe rritjen e kushteve të mirëqenies.

Kush përfiton dhe kush jo?

Rreth 1.3 milion punëtorë punojnë në institucione që i nënshtrohen rregullores së pagës minimale të kujdesit. Këta punonjës do të përfitojnë drejtpërdrejt nga rritjet.

Por një pjesë e punonjësve që ofrojnë kujdes në familje private, apo punojnë jashtë institucioneve të certifikuara, nuk përfitojnë nga kjo rritje – për ta vlen vetëm paga minimale ligjore prej 12.82 € në orë.

Ministria e Punës pritet ta bëjë rritjen të detyrueshme

Ministria Federale e Punës dhe Çështjeve Sociale do të nxjerrë një dekret zyrtar për ta bërë të detyrueshme rritjen e pagave dhe ditëve shtesë të pushimit në të gjithë sektorin, pavarësisht marrëveshjeve individuale ose kontratave kolektive.

Mandati i Komisionit dhe rëndësia e vendimit

Komisioni i Infermierisë dhe Kujdesit Mjekësor, i krijuar sipas Ligjit për Punëtorët e Dërguar, përbëhet në mënyrë të balancuar nga përfaqësues të punëtorëve dhe punëdhënësve – privatë, jofitimprurës dhe kishtarë. Komisioni aktual, i pesti me radhë, ka nisur punën në dhjetor 2021 dhe ka mandat pesëvjeçar.

Rekomandimi i tij i ri është planifikuar të mbetet në fuqi deri më 30 shtator 2028, duke krijuar bazë të qëndrueshme pagash për vitet në vijim.

Çfarë do të thotë kjo për sektorin?

Rritjet e reja shihet si një përpjekje e vazhdueshme për ta bërë sektorin më tërheqës, në një kohë kur Gjermania po përballet me mungesë të madhe të fuqisë punëtore në kujdesin mjekësor – një nga profesionet më të kërkuara në vend.

Megjithatë, shumë ekspertë theksojnë se rritja e pagës minimale nuk është e mjaftueshme për të zgjidhur sfidat strukturore të sektorit, si mbingarkesa e punës, oraret e gjata dhe kërkesat fizike e emocionale të profesionit.

Duhet të jeni të kyçur për të komentuar.
Duhet të jeni të kyçur për të ruajtur