Ky shënon një hap të rëndësishëm në përgatitjet për votimin me postë, i cili do të mundësojë pjesëmarrjen e dhjetëra mijëra qytetarëve që jetojnë jashtë vendit.
Sipas njoftimit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), më 17 shtator pritet të nisë periudha e votimit përmes postës. Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka sqaruar se pas pranimit të fletëvotimeve, do të përgatiten pako individuale për secilin prej 43,933 votuesve të regjistruar jashtë Kosovës.
“Çdo pako do të përmbajë nga dy fletëvotime – një për zgjedhjen e Kryetarit të Komunës dhe një për Kuvendin Komunal. Pakoja do t’u dërgohet me postë secilit votues, i cili më pas duhet ta kthejë atë në njërën nga kutitë postare të KQZ-së që do të hapen në shtete të ndryshme”, ka deklaruar Elezi.
Afati i votimit për diasporën është 25-ditor, duke filluar më 17 shtator dhe përfunduar më 11 tetor. Gjatë kësaj periudhe, votuesit do të kenë mundësi të plotësojnë dhe të kthejnë fletëvotimet e tyre. KQZ pritet të publikojë së shpejti adresat e sakta të kutive postare nëpër shtetet ku jetojnë mërgimtarët kosovarë.
Elezi po ashtu ka kujtuar se të gjithë ata që janë regjistruar për votim nga jashtë vendit janë hequr nga Lista e Votuesve që përdoret në Kosovë, duke pamundësuar kështu votimin e dyfishtë. Përkundrazi, ata që nuk janë regjistruar për votim nga jashtë, do ta gjejnë emrin e tyre në listat e votuesve në vendvotimet brenda Kosovës.







