Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), procesi ka nisur në orën 07:00 dhe deri më tani po zhvillohet pa probleme në të gjitha vendvotimet.
Balotazhi po mbahet në komunat: Prishtinë, Prizren, Pejë, Gjakovë, Gjilan, Suharekë, Rahovec, Vushtrri, Viti, Dragash, Klinë, Kaçanik, Junik, Fushë-Kosovë, Obiliq, Mitrovicë e Jugut, Mamushë dhe Kllokot. Në këto komuna, qytetarët zgjedhin mes dy kandidatëve më të votuar në raundin e parë të zgjedhjeve.
Sipas të dhënave të KQZ-së, mbi 1 milion e 316 mijë qytetarë kanë të drejtë vote në këtë proces. Në total, votimi po zhvillohet në 507 qendra votimi, me 1628 vendvotime, përfshirë edhe 18 vendvotime për votim me kusht.
Fatura Planet Prishtinë, Kosovë
KQZ: Procesi po zhvillohet normalisht
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, konfirmoi se të gjitha materialet zgjedhore janë shpërndarë me kohë dhe nuk janë raportuar probleme në funksionim të vendvotimeve.
“Procesi i votimit në 18 komuna ka nisur normalisht. Vendvotimet janë hapur në orën 07:00 dhe janë të hapura deri në orën 19:00,” u shpreh Elezi.
Kreu i KQZ-së: Qytetarët të shfrytëzojnë të drejtën e votës
Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, nga Peja bëri thirrje për pjesëmarrje dhe respektim të rregullave zgjedhore.
“Ftoj qytetarët që të dalin dhe të shprehin vullnetin e tyre përmes votës. Të respektohet rendi dhe ligji, që procesi të përfundojë pa asnjë problem,” deklaroi ai.
Kurti voton në balotazh, fton qytetarët të vendosin për të ardhmen
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka ushtruar të drejtën e tij të votës dhe ka ftuar qytetarët të bëjnë të njëjtën, duke potencuar se sot vendoset drejtimi i qeverisjes lokale për katër vitet e ardhshme.
Institucionet në gatishmëri – 80 prokurorë në terren
Për të garantuar mbarëvajtjen dhe integritetin e procesit, Prokuroria e Shtetit ka angazhuar rreth 80 prokurorë dhe zyrtarë prokurorialë në të gjithë territorin e Kosovës. Ata do të jenë në terren deri në përfundim të votimit për të ndërhyrë në rast të ndonjë parregullsie.
Prokuroria apelon që çdo tentim për manipulim të votohet të denoncohet menjëherë te institucionet përkatëse.
Votimi vazhdon deri në orën 19:00, ndërsa rezultatet e para pritet të publikohen gjatë mbrëmjes. Ne do të vazhdojmë raportimin për mbarëvajtjen e procesit dhe zhvillimet pas votimit.







