Çmimi i vinjetës nuk do të jetë i njëjtë për të gjitha automjetet. Sipas planit të publikuar, sa më i lartë të jetë standardi Euro i automjetit dhe sa më të ulëta emetimet, aq më e lirë do të jetë vinjeta.
Për veturat më të vjetra të kategorive Euro 0, Euro 1, Euro 2 dhe Euro 3, vinjeta vjetore është propozuar në 125 euro. Një vinjetë njëditore do të kushtonte 11.25 euro, ajo dhjetëditore 15 euro, mujore 23.75 euro dhe dymujore 37.50 euro.
Për automjetet Euro 4 ose me standard më të lartë, ku përfshihen edhe Euro 5 dhe Euro 6, tarifa do të jetë më e ulët. Vinjeta vjetore parashihet të kushtojë 100 euro, dhjetëditorja 12 euro, njëditorja 9 euro, ajo mujore 19 euro dhe dymujore 30 euro.
Më lirë do ta kenë automjetet pa emetime, si veturat plotësisht elektrike. Për to është propozuar çmimi prej 90 eurosh në vit, 10.80 euro për dhjetë ditë dhe 8.10 euro për një ditë.
Sistemi do të jetë plotësisht digjital dhe nuk do të ketë nevojë për ngjitëse fizike në xham. Vinjeta do të blihet në internet dhe do të lidhet drejtpërdrejt me targën e automjetit.
Rregullat pritet të vlejnë edhe për veturat me targa të huaja. Kjo do të thotë se edhe shoferët që hyjnë në Belgjikë nga vende të tjera do të duhet të blejnë vinjetën përkatëse nëse përdorin rrugët e përfshira në sistem.
Detyrimi është planifikuar për automjetet me të paktën katër rrota dhe me masë maksimale të lejuar deri në 3.5 ton, përfshirë veturat, furgonët dhe kamperët. Motoçikletat, traktorët dhe autobusët nuk parashihen të përfshihen në këtë sistem, ndërsa automjetet e rënda mbeten nën sistemin ekzistues të pagesës sipas kilometrave.
Sipas planit aktual, blerja e vinjetave digjitale pritet të mundësohet nga 1 marsi 2027, dy muaj para hyrjes së detyrimit në fuqi.
Megjithatë, procedura ligjore nuk ka përfunduar ende. Tarifat dhe data e nisjes janë pjesë e planit të publikuar, por miratimi përfundimtar dhe disa detaje praktike ende duhet të përfundojnë para zbatimit. /Urgjent.com/
Përgatiti: Liridona Krasniqi
Mendimi juaj ka rëndësi
Si e vlerësoni këtë artikull?