Gjatë vizitës, ata u takuan me drejtuesit e Gardës dhe diskutuan për bashkëpunimin ndërkombëtar në fushën e sigurisë.
Sipas njoftimit të Gardës Kombëtare të Iowas, në qendër të bisedimeve ishte partneriteti shumëvjeçar me Kosovën dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës. Diskutimet përfshinë kapacitetet e FSK-së, aftësinë e saj për të vepruar së bashku me forcat partnere dhe zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në kuadër të Programit të Partneritetit Shtetëror.
Në takim morën pjesë gjeneralmajori Stephen Osborn, Matthew Strasser, gjenerali i brigadës Mark Kappelmann dhe Kerri Lewers, që drejton Programin e Partneritetit Shtetëror. Garda e cilësoi si historike këtë vizitë të parë të Ruttes në selinë e saj, duke theksuar rëndësinë e partneriteteve që ka ndërtuar përtej kufijve të shtetit amerikan.
Në njoftim theksohet se, për më shumë se një dekadë, pjesëtarët e forcave tokësore dhe ajrore të Gardës së Iowas janë trajnuar dhe kanë punuar përkrah pjesëtarëve të FSK-së. Sipas Gardës, ky bashkëpunim ka krijuar lidhje të mbështetura në besim, përvoja të përbashkëta dhe angazhim për sigurinë rajonale.
Pjesëtarët e Gardës së Iowas kanë kontribuar gjithashtu në ushtrime dhe misione të NATO-s, përfshirë KFOR-in në Kosovë. Në njoftimin e saj për vizitën, NATO bëri të ditur se Rutte dhe Whitaker e vlerësuan shërbimin e tyre, duke veçuar kontributin në misionin paqeruajtës në Kosovë. /Urgjent.com/
Përgatiti: Ardit Berisha
Mendimi juaj ka rëndësi
Si e vlerësoni këtë artikull?