“Putin nuk do të sulmojë një territor të NATO-s”, u shpreh Trump para gazetarëve në Zyrën Ovale.
Deklarata e tij vjen pas raportimeve se drejtori i CIA-s, John Ratcliffe, gjatë një vizite në Moskë këtë javë, mund t’u ketë përcjellë zyrtarëve rusë paralajmërime lidhur me përshkallëzimin e konfliktit ndaj vendeve aleate të Shteteve të Bashkuara.
Trump e ka mohuar se Ratcliffe ishte dërguar në Rusi me ndonjë mesazh të veçantë. Sipas presidentit amerikan, drejtori i CIA-s ka një komunikim të rregullt me homologët e tij rusë.
“Ratcliffe takohet me homologun e tij rus një herë në gjashtë muaj ose një herë në vit. Ata kanë një marrëdhënie shumë të mirë. Nuk kishte asnjë mesazh dhe nuk kishte asgjë të pazakontë”, deklaroi Trump.
Megjithatë, vizita e Ratcliffe në Rusi është vlerësuar si e rëndësishme, pasi bëhet fjalë për vizitën e parë të tij të njohur në këtë shtet që prej fillimit të mandatit të dytë të Trumpit.
Sipas raportimeve të Wall Street Journal, Ratcliffe u ka kërkuar zyrtarëve rusë që të shmangin përshkallëzimin e konfliktit me shtetet anëtare të NATO-s.
Ndërkohë, tensionet mes Moskës dhe Londrës vazhdojnë të mbeten të larta. Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, ka paralajmëruar se Rusia mund të hakmerret ndaj Mbretërisë së Bashkuar duke goditur objektiva ushtarake britanike, si brenda ashtu edhe jashtë territorit të Ukrainës.
Deklaratat vijnë në një periudhë të tensionuar për marrëdhëniet mes Rusisë dhe vendeve perëndimore, ndërsa lufta në Ukrainë vazhdon. /Urgjent.com/
Përgatiti: Ardit Berisha
Mendimi juaj ka rëndësi
Si e vlerësoni këtë artikull?